09.12.2024
Dauti Komerc nderohet me çmimin “Distributori i Vitit” në gala-n e 128-vjetorit të DHTIT
Dauti Komerc nderohet me çmimin “Distributori i Vitit” në gala-n e 128-vjetorit të DHTIT
Më 4 dhjetor, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë shënoi kulmin e festimeve për 128-vjetorin e saj me një ceremoni gala të jashtëzakonshme, ku u vlerësuan sipërmarrës dhe kompani të shquara që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë në trojet shqiptare.
Eventi, i mbajtur në ambientet prestigjioze të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, mblodhi personalitete nga politika, diplomacia, arti dhe media, duke krijuar një atmosferë të veçantë nën drejtimin e Ornela Gaçes dhe Erion Kristos.
Një ndër momentet më të rëndësishme të mbrëmjes ishte nderimi i kompanisë Dauti Komerc me çmimin “Distributori i Vitit”. Ky vlerësim i dha njohje rolit kyç të kompanisë në tregun shqiptar dhe rajonal, si dhe përkushtimit të saj ndaj standardeve të larta në shërbim dhe menaxhim.
Në një prononcim të shkurtër, drejtori i kompanisë, z. Xhemail Dauti, shprehu falënderimet e tij për këtë vlerësim të lartë:
“Kjo na bën krenarë si kompani dhe si familje. Jemi mirënjohës për këtë çmim të ndarë, që na vlerëson si distributorin më të mirë në rajon dhe në trojet shqiptare. Ky është një rezultat i punës sonë të palodhshme për ngritjen dhe përsosjen e tregut,” theksoi z. Dauti.
Dauti Komerc, një emër tashmë i njohur, operon si distributor i produkteve të konsumit të gjerë në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri, duke mbuluar një treg gjithpërfshirës kudo ku janë shqiptarët. Aktualisht, kompania ndodhet në një fazë të zgjerimit të mëtejshëm drejt Luginës së Preshevës dhe Bujanovcit.
“Pas më shumë se tri dekadash funksionimi, kemi krijuar një bazë të fuqishme që përfshin mbi 30,000 klientë-blerës dhe rreth 1,200 furnizues nga e gjithë bota. Ky rrjet i gjerë dhe partneritetet ndërkombëtarë na kanë mundësuar të jemi një lider i besueshëm në rajon,” shtoi ai.
Gala e 128-vjetorit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë është kthyer tashmë në një traditë që nderon arritjet dhe përkushtimin e aktorëve më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Dauti Komerc, me këtë çmim të rëndësishëm, vijon të konfirmojë pozitën e saj si një nga kompanitë lider në rajon.