22.01.2025





XHEMAIL DAUTI: TË RREGULLOHET TREGU DHE TË STIMULOHET PRODHIMI VENDOR

Xhemail Dauti, Drejtor i Përgjithshëm i “Dauti Komerc” dhe Kryetar Nderi i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), ishte i ftuar mbrëmë në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma, ku ndau pikëpamjet e tij mbi çështjet e ngritjes së çmimeve, politikat qeveritare dhe sfidat me të cilat përballen bizneset në vend.

Gjatë intervistës, Z. Dauti hodhi dritë mbi qasjen e kompanisë Dauti Komerc lidhur me marrëveshjen e arritur me qeverinë për çmimet e produkteve të shportës së fund vitit. Ai theksoi se kompania ka respektuar plotësisht këtë marrëveshje, duke mos ndjekur praktikën e disa subjekteve që kanë abuzuar me çmimet. “Kur ka fajësime, duhet të ketë edhe emër e mbiemër. Nuk mund të përgjithësohen të gjitha kompanitë, sepse ka prej tyre, si Dauti Komerc, që veprojnë me përgjegjësi dhe përkushtim,” deklaroi ai.

Duke folur për nevojën e rregullimit të tregut, Z. Dauti nënvizoi rëndësinë e një qasjeje të drejtë dhe transparente. “Shteti duhet të krijojë kushte për një treg të rregulluar e të lirë, jo anarkik. Fatkeqësisht, në disa sektorë si tregtia e frutave dhe perimeve, mungon një strukturë e tillë. Ka raste kur mallrat futen në treg pa doganë, duke krijuar pabarazi për kompanitë që respektojnë rregullat,” tha ai. Sipas tij, për të pasur ndikim pozitiv në pengimin e rritjes se çmimeve, shteti duhet të stimuloje prodhimin vendor.

 

Më tej, duke folur për çmimet e produkteve, Kryetari i Nderit të OEVMP-së, Xhemail Dauti, propozoi që doganat të jenë të njëtrajtshme dhe të rishikohen masat për sektorët bujqësorë, të cilët aktualisht përballen me sfida serioze për shkak të një modeli të paefektshëm subvencionimi.

Në lidhje me rolin e institucioneve, Z. Dauti vuri në dukje nevojën për funksionimin më të mirë të komisioneve dhe organeve rregullatorë, veçanërisht të LKomisionit për Mbrojtje të Konkurrencës. “Problemet nuk zgjidhen me propagandë. Institucionet duhet të jenë funksionale dhe tregu të rregullohet si duhet. Huazimi i rregullativave nga Bashkimi Evropian duhet të bëhet me zbatim të drejtë, jo në mënyrë selektive dhe jo në mënyrë subjektive,” theksoi ai. I pyetur nëse duhet të vihen në funksion rezervat shtetërore për të ndikuar në normalizimin e çmimeve, Drejtori i përgjithshëm i “ Dauti Komerc”, tha se kjo nuk do të ndikonte tek çmimet, duke shtuar se ligji përcakton qartë se kur preken rezervat shtetërore.

 

Gjithashtu, Z. Dauti ndau mendimin e tij mbi diskutimet për rritjen e pagës minimale dhe ndikimin e saj në sektorin privat. Ai theksoi se punëtorët nuk duhet të shihen thjesht si shpenzim, por si konsumatorë dhe pjesë thelbësore e çdo biznesi. “Për momentin, paguajmë kontributet më të larta në rajon. Qeveria duhet të rishikojë modelin aktual të pagesave të kontributeve për të lehtësuar bizneset,” tha ai. Më tej, Dauti shtoi se nuk ka sinjale nga Qeveria rreth propozimit të bizneseve që më rritjen e pagës, të mos rriten kontributet.

 

Në fund, duke adresuar debatin mbi ndalimin e punës ditën e diel, Z. Dauti theksoi se një ligj i veçantë nuk është i nevojshëm, pasi ligji për Marrëdhëniet e Punës tashmë mbulon këto aspekte. “Nëse një biznes ka nevojë për punë ditën e diel, kjo duhet të bëhet sipas rregullave dhe me pagesa shtesë, siç e parashikon ligji aktual për Marrëdhënie Pune,” shtoi ai.

Dauti Komerc, si një prej kompanive më të mëdha në vend, mbetet e përkushtuar për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe për të promovuar një ambient të ndershëm e të rregulluar për bizneset dhe konsumatorët.


Dauti Komerc 

Aktiviteti kryesor i kompanisë “DAUTI KOMERC” SHA është import-eksporti dhe qarkullimi i mallrave të konsumit të gjërë, i cili realizohet nëpërmjet qendrave të distribucionit, si dhe përfaqësimi i disa kompanive të njohura vendore dhe ndërkombëtare nga fusha të ndryshme.

Kontakt Informacionet
LINQE TË DOBISHME

Biskota (cookies) janë vendosur në pajisjen tuaj për të përmirsuar funksionalitetin e kësaj faqe

Kam nevojë për informacion shtesë | Politika e biskotave (cookies)

Pajtohem Nuk Pajtohem