11.02.2025
Xhemail Dauti në “Biznes Plus”: Rregullimi i tregut, domosdoshmëri për zgjidhjen e problemeve ekonomike
Bojkoti i marketeve që ndodhi në vendin tonë më datë 31 janar, nuk do të ketë ndikim në uljen e çmimeve, tha Kryetari i nderit në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimorë, Xhemail Dauti, në emisionin “ Biznes Plus” në TVM2. I ftuar në këtë emision, duke argumentuar më tej këtë vlerësimin e tij, Dauti tha se është një spektrum i gjerë që ndikon në rritjen e çmimeve. Sipas tij, bojkoti apo përsëritja e tij, do të kishte vetëm efekt afatshkurtër, por jo efekt për ulje të çmimeve.
“Ne kemi bindjen se nuk do të ketë efekt, për shkak se harxhimi dhe nevojat e konsumatorit nuk varen nëse ai do apo jo të ushqehet, mund vetëm të ketë një lëvizje kohore. Ajo që është thelbësore të përmendet në këtë rast është se në Maqedoni ka mbi 8 000 objekte që merren me shitjet me pakicë të produkteve të konsumit të gjerë dhe ato nuk janë të zinxhirëve që kanë mbi 100 markete, 200 markete, por ke edhe të tjerë që kanë 5, 6 markete, ka markete individuale, ka objektet që shesin edhe diçka tjetër, por edhe pjesën ushqimore. Kështu që, mundësitë për t’u furnizuar dhe për t’u krijuar një konkurrencë e shëndoshë janë, nuk është e thënë patjetër që të furnizohesh në zinxhirë. 04:19 Nuk është faktor i ngritjes së çmimeve qasja e tregtarëve, sepse nëse shikoni një kompani që përmendet më së shpeshti, që nuk dua ta përmend, atje konsumatorë janë kategoria e lartë dhe e mesme, prandaj ky problem nuk zgjidhet me bojkot”- tha më tej, Drejtori I përgjithshëm i Dauti Komerc, Xhemail Dauti.
Sipas tij, këtu janë të përfshirë tre faktorë: furnizuesit, konsumatorët dhe ai që duhet të kornizojë rregullat e lojës, pra shteti. Xhemail Dauti tha se i gjithë problemi krijohet, sepse shteti nuk bën rregullimin e tregut. Shteti, siç tha, duhet të ju paraprijë situatave përpara se ato të ndodhin. Një analizë e domosdoshme, elaboroi më tej Xhemail Dauti, është ngarkesa që u bën shteti tregtarëve përmes ngarkesave tariforë dhe jo tarifore, pasi sipas tij tek produktet e konsumit të gjerë, pjesa më e madhe janë shumë të ngarkuar me tarifa doganore.
“TVSH-ja, apo Tatimi i Vlerës së Shtuar, në Maqedoni është 18%, ndërsa për produktet bazike është 5%. Por, nëse ti e ke subvencionuar tatimin, ndërsa e kë rrit doganën, ke produkte ushqimore që kanë tatim doganorë madje deri në 65%, ndërsa nga ana tjetër ka tatim të subvencionuar”- tha Xhemail Dauti, duke shtuar se këto dogana favorizojnë produktet që vijnë nga Serbia dhe të shteteve të tjera të CEFT-ës, ku ka marrëveshje bilaterale.
Sa i përket Ligjit për praktika të padrejta tregtare, Xhemail Dauti, përmend Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe rëndësinë thelbësorë që ky komision të jetë efikas.
“Ai ligj ka përparësitë dhe mangësitë e veta. Ligji duhet të zgjerohet edhe për nja 500 artikuj të tjerë që janë ushqimorë, për shembull pjesa e detergjenteve. Dy javët e fundit shihet influence e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës në zinxhirët e marketeve. Dalëngadalë ai Komision do të japë rezultate, por nuk mund ta detyrojë që të ulë çmimin”- tha Xhemail Dauti, Kryetar nderi në OEMVP.
Duke folur rreth “shportave”, siç ishte ajo e Vitit të Ri, dhe të tjerat që do të jenë në të ardhmen, Xhemail Dauti tha se aktivitete të tilla mes Qeverisë dhe biznesit, duhet të vazhdojnë me qëllim të ngritjes së konsumit. Duke folur rreth atyre që nuk i janë përmbajtur masës për “ shportën”, Xhemail Dauti tha se në rast të tillë është e rëndësishme se sa me precizim është bërë marrëveshja, sepse përndryshe “kërcënimet” e kryeministrit në rast të tillë nuk luajnë rol.
Të hënën u mbajt edhe mbledhja e Këshillit Socio-Ekonomik, që sipas Xhemail Dautit, është gjë e mirë që i njëjti vitet e fundit po funksionon, por duke shtuar se ai ka nevojë për reforma, për të definuar se kush duhet të jetë pjesë e tij. Në këtë Këshill u diskutua edhe rritja e pagës minimale. Dauti tha se vendi ynë ka kontributet më të larta në rajon. Në argumentin e drejtuesit të emisionit se ministrja e Financave nuk pajtohet me këtë konstatim, Dauti iu përgjigj: “ -Duhet ta studiojë”.
“Organizata e Punëdhënësve nuk ka vend në Këshill. Aty duhet të jenë Odat Ekonomike, Sindikata dhe Qeveria. Tani themi 500 euro, por ajo duhet të zhvendoset duhet të bëhet diku tek 700-800 euro. Këtu me rrogën minimale përfitojnë edhe fondet pensionale dhe sociale, sepse ne nuk kërkojmë të ulet tatimi, pasi rroga ka edhe tatimin personal, ne kërkojmë të ulen kontributet”- tha Xhemail Dauti.
Sipas tij, OEMVP-ja së shpejti do të ketë një tryezë të rrumbullakët ku do të analizohet modaliteti i kontributeve, pra në rrogat më të larta përqindja duhet të zvogëlohet, por akumulimi në masë është më i madh.