14.02.2025
Dauti komerc do të kërkojë t’i kthehet tatimi solidar
Kompania Dauti Komerc është një nga mbi 140 kompani qw me vendim të Gjykatës Kushtetuese fituan të drejtën që të kërkojnë nga shteti kthim të tatimit solidar. Ky vendim erdhi pasi deri tek kjo gjykatë, Oda Ekonomike e Maqedonisw Veriperëndimore kërkoi shqyrtim të Kushtetutshmërisë së Ligjit për tatim solidar. Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të bizneseve. Pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, “Dauti Komerc” do të nisë menjëherë procedurat për kërkesë të kthimit të këtij tatimi, megjithatë për mënyrën dhe dinamikën e kthimit të të njëjtit do të vendosë në marrëveshje me Qeverinë dhe Ministrinë e Financave. Kompania Dauti Komerc shtetit i kishte paguar 1,768,327 denar. Drejtuesit e kompanisë kanë vendosur që ekzekutivit të mos i kërkojnë kamatë për shumën e lartpërmendur, me qëllim që të mos rëndohet buxheti i shtetit. Ky ligj u soll nga pushteti i kaluar që ishte bazuar në një direktive të Bashkimit Evropian, qëllimi i të cilës ishte të shihej nëse kompanitë që tregtojnë me energjinë elektrikë kishin përfituar apo jo duke shfrytëzuar krizën gjatë vitit 2022-2023. Pikërisht këtë situatë e shqyrtoi më detajisht Kryetari i Nderit në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe Drejtori i Përgjithshëm i “Dauti Komerc”, Xhemail Dauti, i ftuar në emisionin “ Biznes Plus” në TVM2, duke shtuar se pushteti i kaluar e kishte interpretuar në mënyrë krejtësisht të gabuar atë direktivë të BE-së.
|