07.03.2025
Drejtuesit e “Dauti Komerc” pjesë e “Iftarit tradicional” të OEMVP-së
Drejtuesit e kompanisë “ Dauti Komerc”, në këtë muaj të Shenjtë të Ramazanit morën pjesë në “ Iftarin tradicional”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore. Në iftarin e një nate më parë përfaqësues të biznesit, institucioneve mediave, miq dhe bashkëpunëtorë bënë lutjen e përbashkët.
Për drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë “ Dauti Komerc”, Xhemail Dauti, njëherit kryetar nderi i OEMVP-së, iftari i përbashkët nuk është vetëm një vakt, por një moment bashkimi, mirënjohjeje dhe solidariteti që na afron me njëri -tjetrin dhe na kujton vlerat e dhembshurisë dhe harmonisë.
Kryetari i OEMVP z. Mendi Qyra, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e dhënë nga kompania e distribuimit të produkteve të konsumit të gjerë “ Dauti Komerc”. Sipas tij, sot më shumë se kurrë, duhet të ruajmë dhe t'i përcjellim vlerat e tolerancës dhe mirëkuptimit tek brezat e rinj. “Ky iftar është shembull i qartë i harmonisë dhe bashkëjetesës që synojmë ta forcojmë”- tha në fjalimin e tij, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Duke vlerësuar thellësisht simbolikën e Ramazanit, OEMVP tashmë ka krijuar traditë në organizimin e këtij Iftari, si një akt respektimi për vlerat islame, të cilat mishërojnë bujarinë, faljen, urtësinë, dashurinë dhe respektin reciprok.
Ky event shërbeu si një mundësi për të thelluar lidhjet ndërmjet komuniteteve, bizneseve dhe institucioneve, duke rikujtuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit në ndërtimin e një shoqërie më të qëndrueshme dhe më të fortë.
