18.04.2025
Ambasadori slloven, Gregor Presker vizitoi kompaninë Dauti Komerc
Shkëlqësia e tij, Ambasadori i Republikës së Sllovenisë, i shoqëruar nga këshilltarja e tij, znj. Gjyle Vishaj, zhvilloi një vizitë në kompaninë Dauti Komerc, ku u prit në mënyrë protokollare nga drejtori i përgjithshëm z. Xhemail Dauti dhe udhëheqësi i sektorit për import-eksport, z. Sokol Zeqiri.
Gjatë takimit, u diskutua për bashkëpunimet aktuale me kompani sllovene dhe për mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Ambasadori shprehu interes për t’u njohur nga afër me punën dhe strukturën e kompanisë, duke realizuar një tur nëpër hapësirat e depozitimit dhe sektorët kryesorë të Dauti Komerc.
Gjatë vizitës, ai u informua rreth koncepteve të funksionimit të kompanisë si “Cash & Carry”, shërbimet për sektorin HoReCa, logjistika, si dhe planet e kompanisë për të ardhmen. Të dyja palët shfaqën interes të ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimeve me kompani dhe prodhues nga Sllovenia.
Ambasadori shprehu vlerësim të lartë për profesionalizmin e Dauti Komerc dhe përkushtimin e saj në raport me klientët, duke theksuar se kompania nuk është vetëm një hallkë mes prodhuesit dhe konsumatorit, por edhe një partner që kujdeset për cilësinë e shërbimit.
Nga ana tjetër, drejtori Xhemail Dauti theksoi se Dauti Komerc është gjithmonë e hapur për bashkëpunime të reja me partnerë nga Sllovenia, duke nënvizuar se përvoja dhe zhvillimi i kompanisë ofrojnë bazë të mirë për bashkëpunime të dobishme. Ai shprehu respekt të veçantë për modelin ekonomik slloven dhe vullnetin për të forcuar lidhjet ekonomike mes dy vendeve mike.
Udhëheqësi i sektorit për import-eksport, z. Sokol Zeqiri, ndau më shumë informacione rreth bashkëpunimeve ekzistuese me disa nga kompanitë më të njohura sllovene. Zeqiri theksoi se këto bashkëpunime janë jo vetëm të suksesshme, por edhe në rritje të vazhdueshme, duke kontribuar në fuqizimin e lidhjeve tregtare mes dy vendeve.