18.08.2025
Drejtori i përgjithshëm i Dauti Komerc, Xhemail Dauti në takim zyrtar me guvernatorin Trajko Slaveski
Drejtori i Përgjithshëm i Dauti Komerc, Xhemail Dauti, mori pjesë në një takim zyrtar me guvernatorin e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, Dr. Trajko Slaveski. Në këtë takim, Dauti paraqiti një sërë propozimesh me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve financiare në vend.
Ai theksoi nevojën për të ndjekur konceptin monetar të aplikuar në Shqipëri, i cili ka treguar rezultate të suksesshme gjatë pesë viteve të fundit. Sipas tij, është thelbësore që të merren vendime të guximshme për mirëqenien e qytetarëve dhe të bizneseve, duke përfshirë:
-Lehtësimin e funksionimit të bizneseve përmes implementimit të sistemit dy-valutor në tregun e brendshëm.
-Vendosjen e një kursi valutor fluktuativ, të kontrolluar deri në 3%, në vend të kursit fiks, për të ofruar fleksibilitet dhe stabilitet njëkohësisht.
Takimi u zhvillua në kuadër të një vizite të delegacionit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), të kryesuar nga U.D. Kryetari Nuhi Aliu, dhe ku morën pjesë edhe drejtues të tjerë të lartë të Odës. Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendës-guvernatorët Dr. Fadil Bajrami dhe znj. Emilija Nacevska, si dhe këshilltarja e guvernatorit.
Gjatë diskutimeve, u paraqitën disa propozime konkrete, si ulja e normave të interesit për kreditë, ulja e provizionit për pagesat me POS-terminal, pranimi i depozitave në fonde investive si kolateral, rishikimi i provizioneve bankare, vendosja e kufijve në këstet e kredive, si dhe shqyrtimi i mundësisë për aplikimin e një sistemi monetar me dy valuta për të rritur fleksibilitetin financiar dhe lehtësuar tregtinë ndërkombëtare.
Guvernatori Slaveski vlerësoi sugjerimet e paraqitura dhe shprehu gatishmërinë e Bankës Popullore për t’i shqyrtuar në mënyrë të detajuar, duke konfirmuar se dera për bashkëpunim të mëtejshëm mbetet gjithmonë e hapur.
Dauti Komerc, përmes angazhimit të drejtuesve të saj, vazhdon të kontribuojë në nxitjen e dialogut konstruktiv me institucionet kryesore të vendit për të krijuar një klimë ekonomike më të qëndrueshme dhe konkurruese.