10.09.2025





Tryeza AEO në Shkup: Dauti Komerc mikpret diskutimin për sfidat dhe standardet drejt BE-së

Më 8 korrik 2025, në Shkup u mbajt një tryezë e rrumbullakët me kompanitë që mbajnë statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO) në Maqedoninë e Veriut. Aktiviteti u organizua nga Shoqata e AEO-ve për Ballkanin Perëndimor, me mbështetjen e znj. Olgica Nakova dhe projektit GIZ RegioTrade, ndërsa mikpritës ishte kompania Dauti Komerc.

Qëllimi i takimit ishte forcimi i dialogut ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve për zbatimin më efektiv të përfitimeve që sjell statusi AEO. Kompanitë pjesëmarrëse ngritën një sërë çështjesh që lidhen me vështirësitë praktike në terren, duke përfshirë:

  • Mungesën e funksionimit të korsive të gjelbra (green lanes),
  • Mospërputhje në zbatimin e përfitimeve të premtuara,
  • Njohje të dobët të statusit nga autoritetet doganore,
  • Rritje të kontrolleve fizike dhe pengesa në kalimet kufitare,
  • Mungesë e mbulimit 24/7 në pikat doganore jashtë Shkupit,
  • Sistemin EXIM që ende nuk integrohet me statusin AEO.

Në fokus ishte edhe bashkëpunimi me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVA), ku u propozua që inspektimet për ngarkesat e kompanive AEO të bëhen nga inspektorët lokalë, për të shmangur vonesat dhe për të përmirësuar bashkëpunimin ndërinstitucional.

Gjatë takimit, Xhemail Dauti, drejtor i përgjithshëm i Dauti Komerc, theksoi nevojën për përfaqësim të bashkuar të sektorit privat dhe ndërtimin e standardeve që përputhen me pritshmëritë e Bashkimit Evropian.

“Është kënaqësi të shohim kompani që kanë nisur nga zero dhe sot janë të etabluara sipas standardeve evropiane. Të gjitha kompanitë ndajnë sfida të përbashkëta dhe është e domosdoshme të bashkëpunojmë për t’i tejkaluar ato,” – u shpreh Dauti.

 

Ai theksoi gjithashtu përkushtimin afatgjatë të kompanisë ndaj zhvillimit ekonomik dhe shoqëror:

 

“Ne kemi qenë ndër iniciatorët e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, përkrahës të fondacionit ‘Albiz’ në përgjegjësinë shoqërore dhe themelues të iniciativës ekologjike ‘Alpak-Eko’. Kjo nismë për AEO-t është një hap tjetër që shpresojmë ta çojmë në nivelin që meriton.”

 

Takimi në Shkup ishte i dyti në serinë e forumeve rajonale të Shoqatës së AEO-ve, pas atij të mbajtur në Tiranë në qershor. Në muajt në vijim, tryeza të ngjashme do të zhvillohen në Beograd, Sarajevë, Podgoricë dhe Prishtinë, me synim harmonizimin e zbatimit të statusit AEO në të gjithë rajonin.

https://www.youtube.com/watch?v=7cu8317RnaQ


Dauti Komerc 

Aktiviteti kryesor i kompanisë “DAUTI KOMERC” SHA është import-eksporti dhe qarkullimi i mallrave të konsumit të gjërë, i cili realizohet nëpërmjet qendrave të distribucionit, si dhe përfaqësimi i disa kompanive të njohura vendore dhe ndërkombëtare nga fusha të ndryshme.

Kontakt Informacionet
LINQE TË DOBISHME

Biskota (cookies) janë vendosur në pajisjen tuaj për të përmirsuar funksionalitetin e kësaj faqe

Kam nevojë për informacion shtesë | Politika e biskotave (cookies)

Pajtohem Nuk Pajtohem