29.01.2026
Xhemail Dauti pjesë e takimit me Ministrin e Punëve të Brendshme të RMV për sistemin “Safe City”
Drejtor i Përgjithshëm i Dauti Komerc dhe Kryetar nderi i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), z. Xhemail Dauti, ishte pjesë e delegacionit të OEMVP në takimin e punës të zhvilluar me Ministrin e Punëve të Brendshme të RMV-së, z. Pançe Toshkovski.
Gjatë takimit u diskutua implementimi i sistemit “Safe City” dhe ndikimi i tij në ekonomi dhe në aktivitetin afarist. OEMVP dorëzoi kërkesa dhe sugjerime konkrete lidhur me përmirësimin e sistemit, veçanërisht në aspektin e funksionimit të automjeteve të kompanive në komunikacion.
Ministri Toshkovski theksoi se propozimet e parashtruara do të shqyrtohen me seriozitet dhe se do të gjenden zgjidhje për eliminimin e paqartësive që mund të paraqiten gjatë zbatimit të sistemit.
OEMVP riafirmoi mbështetjen e saj për Ministrinë e Punëve të Brendshme në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe në respektimin e ligjeve, duke i konsideruar këto si elemente të rëndësishme për një klimë të qëndrueshme për aktivitetin afarist.
|