24.07.2026
Në kujtim të Svetozar Vujosheviç – Sveto, mikut të dashur dhe bashkëpunëtorit besnik të kompanisë Dauti Komerc
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Svetozar Vujosheviç – Sveto, mik i kahershëm i familjes Dauti dhe bashkëpunëtor besnik i kompanisë Dauti Komerc.
Sveto ishte një mik i afërt dhe i kahershëm i Drejtorit të Përgjithshëm të kompanisë Dauti Komerc, Xhemail Dauti, si dhe një njeri shumë i çmuar për familjen Dauti.
Ai ishte ndër mbështetësit e hershëm të idesë për hapjen e kompanisë Dauti Komerc në Mal të Zi, duke besuar në këtë vizion që me kalimin e viteve u shndërrua në një kompani të etabluar dhe të suksesshme në tregun malazez.
Për shumë vite, Sveto ishte i lidhur ngushtë me kompaninë dhe familjen Dauti, duke dhënë kontributin e tij me besnikëri, përkushtim dhe miqësi të sinqertë. Edhe pse kishte dalë në pension rreth 10 vite më parë, ai vazhdoi të mbetej pranë Dauti Komerc, duke ofruar mbështetjen, këshillat dhe përvojën e tij të çmuar.
Të gjithë ata që patën fatin ta njihnin do ta kujtojnë si një njeri të gëzuar, të qeshur, korrekt dhe plot vullnet. Edhe në ditët e fundit të jetës së tij, Sveto përcillte optimizëm, gjallëri dhe një energji të jashtëzakonshme.
Me largimin e tij nga jeta, Dauti Komerc humbet një mik të çmuar dhe një njeri me vlera të mëdha njerëzore. Kujtimi për Sveton do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat tona dhe pjesë e historisë së kompanisë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij.