17.11.2026
Xhemail Dauti: Kapitali shqiptar në Maqedoninë e Veriut, nga ndërtimi i bizneseve nga zero te sfida e konkurrencës europiane
Xhemail Dauti, Drejtor i Përgjithshëm i Dauti Komerc dhe Kryetar Nderi i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), në një intervistë për revistën ekonomike “Monitor”, analizon rrugëtimin e kapitalit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, kontributin e tij në zhvillimin ekonomik dhe sfidat që e presin në tregun europian.
Duke rikthyer në vëmendje fillimet e sipërmarrjes shqiptare në vitet ’90, Dauti thekson se bizneset shqiptare u ndërtuan kryesisht nga zero, pa përfituar nga procesi i privatizimit të pronës shoqërore. Përmes kursimeve familjare, punës dhe iniciativës private, ato arritën të zhvillohen nga biznese të vogla familjare në ndërmarrje të konsoliduara, me ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendit.
Sipas analizave të OEMVP-së, kompanitë me pronësi shqiptare vlerësohet se kontribuojnë me mbi 40% në Prodhimin e Brendshëm Vendor të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa të dhënat e identifikuara nga Oda për vitet 2018–2019 evidentojnë 6.354 kompani me pronësi shqiptare, me numër të punësuarish nga pesë deri në 1.500 persona.
Dauti vlerëson se ndërtimtaria, tregtia, turizmi dhe aktivitetet prodhuese janë sektorët ku bizneset shqiptare kanë prezencën më të madhe, por thekson se faza e ardhshme kërkon investime më të mëdha në prodhim, teknologji, inovacion dhe zgjerim ndërkombëtar. Sipas tij, suksesi në tregun vendas nuk mjafton më, pasi kompanitë duhet të krijojnë kapacitete për të konkurruar edhe jashtë tij.
Në intervistë trajtohet edhe potenciali i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dauti vë në pah asimetrinë e investimeve mes dy vendeve dhe nevojën për partneritete konkrete në tregti, ndërtimtari, turizëm dhe prodhim.
Një rëndësi të veçantë ai i kushton Korridorit VIII, të cilin e sheh si një projekt strategjik që mund të lehtësojë qarkullimin e mallrave, kapitalit dhe njerëzve, të ulë kostot e transportit dhe të rrisë konkurrueshmërinë e bizneseve në rajon.
Duke folur për integrimin ekonomik europian, Dauti thekson rëndësinë e Tregut të Përbashkët Rajonal si një fazë përgatitore për kompanitë e Ballkanit Perëndimor, përpara përballjes me konkurrencën në tregun e Bashkimit Europian. Ai nënvizon se për këtë nevojiten modernizim i bizneseve, harmonizim i procedurave dhe eliminim i barrierave administrative e tregtare.
Mesazhi i tij është se e ardhmja e kapitalit shqiptar nuk qëndron vetëm në fuqizimin e kompanive individuale, por edhe në krijimin e konsorciumeve, ndërmarrjeve të përbashkëta dhe investimeve që synojnë tregje më të mëdha.
Më poshtë mund të gjeni intervistën e plotë:
https://monitor.al/kapitali-shqiptar-ne-maqedonine-e-veriut-u-ngrit-nga-zero-tani-duhet-te-konkurroje-ne-tregun-e-